Zgjerohet aleanca e NATO-s, Finlanda dhe Suedia do të aplikojnë për anëtarësim këtë verë
Dy vende fqinje me Rusinë, Finlanda dhe Suedia, pritet të aplikojnë për anëtarësim në NATO këtë verë. Zyrtarët e lartë të këtyre vendeve e kanë konfirmuar një fakt të këtillë ndërsa mbështetja publike në vendet respektive për këtë anëtarësim është shtuar. Sulmi pushtues i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë frikë te fqinjët e tjerë të Rusisë.
Lufta në Ukrainë ka sjellë frikë fqinjët e Rusisë, ndërsa vendet që deri më tani kanë qenë neutrale, si Finlanda dhe Suedia, po mendojnë seriozisht që të anëtarësohen në aleancën veriatlantike.
Shumë ekspertë ushtarakë e kanë cilësuar një gabim të rëndë strategjik sulmin pushtues të Rusisë ndaj fqinjit të vet, Ukrainës. Suedia dhe Finlanda po shqyrtojnë seriozisht mundësinë e anëtarësimit pasi mendojnë se kërcënimi i paraqitur nga Moska është rritur që kur ajo filloi një pushtim tokësor, ajror dhe detar të Ukrainës më 24 shkurt.
Finlanda pritet të paraqesë kërkesën e saj për t'u bashkuar me NATO-n në qershor. Në fundjavë, kryeministrja Sanna Marin tha se Rusia "nuk është fqinji që menduam se ishte" dhe se vendimi për këtë çështje do të merrej "gjatë pranverës".
Suedia ka deklaruar ndërkaq se do të ndiqte Finlandën në rast se ajo vendos të aplikojë për anëtarësim në NATO.
Më herët, përpara luftës pushtuese të Rusisë ndaj Ukrainës, publiku në Suedi dhe Finlandë nuk e mbështeste anëtarësimin në aleancën ushtarake. Pushtimi i Ukrainës ka sjellë një rritje të mbështetjes publike në vendet respektive që të anëtarësohen në NATO.
Për rastin ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i Shtetit duke komentuar perspektivën e anëtarësimit të të dyja vendeve nordike në NATO, ndërsa thanë se dera e aleancës është e hapur.
Ndërkaq, sipas kreut të vetë aleancës veriatlantike, Stoltenberg, NATO është “në mes të një transformimi shumë themelor” që do të pasqyrojë “pasojat afatgjata” të veprimeve të Putinit.
Suedia dhe Finlanda deri më tani kanë pasur kurs neutraliteti. Afrimi i tyre me NATO-n, teksa kanë zhvilluar edhe stërvitje të përbashkëta ushtarake, ka sjellë edhe reagimin e Moskës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se nëse Finlanda dhe Suedia bashkohen me NATO-n, atëherë Rusia do të duhet të "ribalancojë situatën" me masat e veta.
