Kamerat “i kapën”, policia jo/Makinat në Vlorë u dogjën pasi autorët dështuan t’i vjedhin
Policia ka dyshime se dy makinat e djegura në Vlorë u tentua të vidhen. Autorët u filmuan nga kamerat e sigurisë në zonë, por mbeten ende të lirë pasi nuk janë identifikuar e arrestuar nga policia.
Zjarrvënia e dy makinave mbrëmjen e 7 prillit në Vlorë u filmua nga kamerat e sigurisë, por autorët janë ende në lirë.
Dy personat që shihni në këtë video ende nuk janë identifikuar pasi mbajnë në kokë kapele dhe kanë arritur ta fshehin fytyrën.
Policia e Vlorës beson se shkaku i djegies së veturës dhe një furgoni në fakt është dështim i një tentative për ti vjedhur.
Dyshimet janë se mjetet do të vidheshin për tu përdorur më pas në ngjarje ose veprimtari kriminale.
Mjete të tilla ka rezultuar se kanë përdorur në pjesën më të madhe të krimeve të rënda të shënuara në kohët e fundit.
Por plani në Vlorë nuk ka shkuar siç duhej.
Njëra prej makinave nuk ndizej si pasojë e baterisë së shkarkuar kurse tjetra nuk hapej.
Në këto kushte, autorët i kanë lyer me benzinë dhe u kanë vendosur flakën.
Ajo çka ngre më shumë dyshimet e policisë së Vlorës është fakti se mbrëmjen e datës 8 prill pranë shkollës "Halim Xhelo" është tentuar të grabitet një tjetër makinë.
Por aty pronari ka pikasur hajdutin nga zhurma e bërë dhe ka dalë menjëherë duke parandaluar grabitjen e mjetit.
