Legalizimi i kanabisit dhe parave të emigrantëve, Koka: Nuk e di çfarë fundi duhet të prekim që të shohim reagim të qytetarëve

Gazetari i Syri Tv, Bledian Koka, i cilëson një farsë dhe teatër të kryeministrit Rama statistikat e bëra sot publike prej tij në lidhje me Këshillimin Kombëtar.

Koka thotë se minimumi, nuk plotësohet kuorumi që ato të merren për bazë.

Koka: Po flasim për një njeri që është Kryeministri që ka firmosur me dorën e vet abuzimin e 430 mln euro që njihet ndryshe si afera e incineratorëve. Ky njeri ka dalë dhe ka thënë se nuk mbaj përgjegjësi se përgjegjësia është individuale. Po ky individi Kryeministër ka ndonjë përgjegjësi për faktin se sot e gjithë ditën ne ju çojmë para në Gjermani dy njerëzve që janë në kërkim, që janë Stela Gugallja dhe Klodian Zoto. Shqiptarët janë 2.8 milion banorë. Në zgjedhje janë 2.4 milion njerëz. Të dhënat që na dha sot kryeministri nuk plotësojnë kuorumin  sepse duhen të paktën 50% e njerëzve të thirrur për votime. Është jashtë logjike të arsyetosh një vendim të një njeriu që qeveris i vetëm, nuk dëgjon askënd dhe kërkon të legjitimojë ato që ai do ti bëjë, pavarësisht se çfarë ka rezistencë opinioni publik. Flasim për një njeri që ua bën litrin e vajit qytetarëve 320 lekë dhe i pyet çfarë mendoni ju për legalizimin e kanabisit. Kemi përballë një kryeministër që e ka bërë litrin e naftës 230 lekë, më shtrenjtë se benzinën, dhe u thotë këtyre të dalim apo jo nga Open Balkan. Kemi një Kryeministër që shqiptarëve u thotë do hani orizin kokërrgjatë se atë kokërrvogël nuk e hani dot dhe ky u thotë të ndahemi apo jo nga Maqedonia e Veriut? A thua se i pyet njeri qytetarët shqiptarë nëse duan të ndahen këta nga Maqedonia e Veriut për integrimin apo jo. E kupton çfarë farse. Një njeri që bën teatër.

I ftuar në Rtv Ora me gazetaren Beti Njuma ai ndal edhe te legalizimi i kanabisit mjekësor, duke theksuar se një vendim i tillë do të legalizonte aktivitetin kriminal të bandave.

Koka: Po ndodh ajo që po ndodh aktualisht me tenderat shtetërore të cilat merren nga kapobandat të lidhura me qeverinë. E njëjta gjë do të ndodhë me kanabisin. E keqja e madhe që e ka shkatërruar këtë vend dhe e ka futur në një kolaps të sigurisë kombëtare sepse çdo ditë shohim sesi njerëz vriten rrugëve për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të drogës. Po këto banda aktivitetin e tyre kriminal do ta ligjërojnë me këtë vendim. Sa i takon efektit ekonomik të kanabisit mjekësor, Maqedonia e Veriut ka disa vjet që e ka legalizuar kanabisin mjekësor, janë dhënë 8 licenca dhe nga këto nuk prodhohet asgjë që ka të bëjë me të mirën e përbashkët. Është një projekt i dështuar. Ne dolëm më të zgjuar për kanabisin, pse Greqia nuk të njëjtën klimë si Shqipëria për kanabisin, Kosova?

Një tjetër vendim i dalë nga këto statistika ishte dhe legalizimi i parave të padeklaruara të emigrantëve.

Koka: 1.6 mld euro i ke vetëm në sektorin e ndërtimit me raporte ndërkombëtare të partnerëve tanë strategjikë. A i kanë parë përgjimet e Erion Veliaj këta se çfarë ndodh, se në çfarë është kthyer zyra e kryetarit të bashkisë? Apo incineratorët. Këta i fërkojnë gjoksin Erion Veliajt. Dalin duke qeshur me Edi Ramën, këta i bullizon Edi Rama. Para disa ditësh e bullizoi ambasadoren e SHBA-ve dhe ajo qëndroi si pulë. Këta na thonë ne ky është qëndrimi SHBA-ve. Duke e lënë fatin tonë në dorën e ndërkombëtarëve, raporteve ndërkombëtare, ndërkohë që ne shohim çmimin e naftës 230 lekë, vaji 320 lekë. Bëj krahasimin me Maqedoninë, këta që blejnë miellin dhe misrin atje, nuk e shohin këtë situatë?

Koka si shpëtim nga gjithë kjo situatë sheh reagimin e qytetarëve, të cilët sipas tij në vend që të turren drejt Maqedonisë së Veriut për të blerë ushqime duhet të protestojnë ndaj keqqeverisjes.

Koka: Mundësia e reagimit është protesta, jo shitja e votës. Mundësia e reagimit nuk është ti shkruash Ramës në facebook: Jemi mirë, bravo të qoftë! Duhet të fillojë reagimi. Nuk e di çfarë fundi duhet të preket që të vijë reagimi.

Teksa gjendja shihet e lidhur dhe me mungesën e opozitës, Koka e ka zgjidhjen.

Koka: Le ta prodhojnë, siç prodhuan në '90-në  PD.