Rusia pezullohet nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Rama: Vota pro e Serbisë lajm i mirë për rajonin

Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas përjashtimit të Rusisë  nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, tha se kjo lëvizje është një refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë.

Po ashtu ai tha se qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë është një lajm i mirë për rajonin.

Edi Rama: Pezullimi i Rusisë nga Këshilli i OKB-së, për të Drejtat e Njeriut, një refuzim i fortë për të pranuar shkeljen brutale të çdo lirie e të drejte dhe krimet mizore të luftës në Ukrainë. Rreshtimi i Serbisë përsëri me Perëndimin në këtë përshkallëzim të ri kundër agresionit rus, lajm i mirë për rajonin!

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i saj për të Drejtat e Njeriut gjatë një sesioni në Nju Jork.

Rezultati konkret i votimit ishte: pro 93; kundër 24; abstenim 58.

Një veprim i tillë pason akuzat për krime lufte nga trupat e Kremlinit në Ukrainë.