SHBA kërcënon aleatët e Rusisë, Uashingtoni: Pasoja për Indinë nëse rreshtohet krah Moskës

Njësoj siç bënë me Kinën, Shtetet e Bashkuara kanë kërcënuar së fundmi me pasoja afatgjata Indinë e Narenda Modit i cili është i njohur edhe si aleat i Putin megjithëse Nju Delhi zyrtar ka thënë se do të qëndrojë neutral për luftën në lindje të Evropës.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Indinë që të mos rreshtohet krah Rusisë në sulmin e saj ndaj Ukrainës.

Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Shtëpisë së Bardhë, Brian Deese përmes një deklaratë për mediet tha se pasojat për Indinë do të ishin të larta dhe afatgjata nëse afrohej me Moskën.

"Në disa fusha, Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera nga vendimet e marra si nga Kina ashtu edhe nga India lidhur me operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë."

Komentet e Shtëpisë së Bardhë vijnë disa ditë pasi ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov zhvilloi një vizitë zyrtare në Indi, e cila pasohej nga një vizitë në Pekin.

India ka zgjedhur një rol neutral sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, megjithëse kryeministri indian Narenda Modi që pas 24 shkurtit ka biseduar rregullisht me telefon me presidentin Putin.

Sa i përket masakrës së Buchas, ambasadori i Nju Delhit në OKB e dënoi vrasjen e civilëve, por megjithatë ai tha se do të duheshin prova të mjaftueshme, foto, video e dokumente të tjera në mënyrë që të dilej në konkluzione.

Lidhja e Indisë me Rusinë është edhe më e fortë duke marrë parasysh edhe aleancën ekonomike të BRICS-it në të cilat përfshihen Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.