Vendimi i Orban irriton Ukrainën, kryeministri hungarez tha se ishte gati të paguante në rubla për gazin rus

Viktor Orban doli garant se do të paguajë gazin rus edhe në rubla, por duket se kjo nuk i ka pëlqyer Ukrainës e cila e ka quajtur Hungarinë si shkatërruese të unionit të BE-së dhe një vend jomiqësor me Kievin, duke i bërë thirrje që të pozicionohet në anën e duhur të historisë.

Qëndrimi i Hungarisë për të paguar gazin rus natyror të lëngshëm në monedhën zyrtare të Rusisë, rubla nuk i ka pëlqyer aspak Ukrainës.

Në një reagim, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Olleg Nikollenko, e quajti vendimin e kryeministrit hungarez jomiqësor dhe shkatërrimtar për unitetin e Bashkimit Evropian sa i përket qëndrimit për luftën.

"Nëse Hungaria vërtetë dëshiron t’i japë fund luftës, ja çfarë duhet të bëjë: të ndalë së shkatërruari unitetin e BE-së, të mbështesë sanksionet e reja kundër Rusisë, të ofrojë mbështetje ushtarake për Ukrainën dhe të mos krijojë burime të tjera financimi për makinerinë ushtarake ruse. Kurrë nuk është vonë për të dalë në anën e duhur të historisë".

Kryeministri konservator, i cili sapo u mandatua për të katërtën herë radhazi si kreu i qeverisë së Hungarisë, tha të mërkurën se ishte i gatshëm të paguante në monedhën ruse Rubla në mënyrë që të vijonte të importonte gaz rus në vendin e tij.

Qëndrimi i Orban pason ultimatumin e presidentit Vladimir Putin, i cili iu kundërpërgjigj sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Sipas vendimit të Kremlinit, vendet anëtare të BE-së do të duhet të paguanin në rubla nëse dëshironin të vijonin të merrnin gaz rus nga Moska.

Vendimi u kundërshtua në unison nga të gjitha vendet që janë importuese të gazit rus, por një gjë të tillë nuk e bëri qeveria hungareze e Viktor Orban.

Konservatori shprehu solidaritet për Ukrainën, por tha se populli i tij nuk duhet të vuajë për shkak të sanksioneve dhe u shpreh se nuk do të ndërpriste kontratat e gazit me Rusinë.

Rusia eksporton çdo ditë gaz natyror drejt Bashkimit Evropian përmes Ukrainës, për të cilën Kievi kërkon një embargo të plotë, e cila do të vendoset me gjasë në 11 prill.

Aktualisht sipas të dhënave më të fundit, Bashkimi Evropian i paguan mesatarisht 450 milionë dollarë Rusisë për gazin natyror që Moska eksporton në vendet e unionit.

Mbi 25% e naftës dhe gazit në vendet anëtare të Bashkimit Evropian vjen nga Rusia.