Apeli i ul një vit burg për vrasjen e Balliut, Olger Mustafa do të bëjë 24 vite burg

Gjykata e Apelit në Korçë, ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të Olger Mustafës, personazhit që në 17 janar 2019 ekzekutoi me armë zjarri Altin Balliun.

Çështja penale që u gjykua nga treshja e gjykatës, Edlira Petri, Arta Duka dhe Dritan Hasani ka pasur vetëm një kualifikim akuze të ndryshme nga ajo për të cilën Mustafa u dënua me 25 vite burgim për “Vrasje me paramendim”.

Gjyqtarët e Apelit kanë vlerësuar se Mustafa duhet të dënohet me 19 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me dashje” në dëm të Altin Balliut dhe “Mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Por për shkak të bashkimit të dy dënimeve, atë të vrasjes së Balliut dhe tentativës së vrasjes së Marko Hysollit, Olger Mustafa është dënuar përfundimisht me 24 vite burgim.

Ngjarja e rëndë, ajo e vrasjes së Balliut, është shënuar në 17 janar 2019, ku Mustafa e ka qëlluar me 5 plumba viktimën.

Vrasja e Altin Balliut, erdhi në një moment kur një grup djemsh ishin mbledhur në një lokal për të festuar Vitin e Ri në qytetin e Korçës.

Konflikti ka nisur në rrethana banale, për dritat e makinës dhe më pas sheri ka filluar fizikisht, ku në mënyrë sistematike ka qenë Olger Mustafa që ka sulmuar tre herë me radhë grupin e djemve.

Një herë i ka sulmuar me makinë, duke i rrezikuar seriozisht jetën. Herën e dytë i ka sulmuar me levë dhe herën e tretë i ka sulmuar me armë zjarri, duke lënë të vdekur në vend Altin Balliun.

Për policinë e Korçës, ky personazh është në listën e individëve si kontigjent kriminal, pasi në nëntor të vitit 2010 rezulton i dënuar nga Gjykata e Korçës me 12 vite burgim për akuzën e “Vrasjes me paramendim” të mbetur në tentativë në dëm të Marko Hysollit.

Hysolli është goditur me automatik nga Mustafa për shkak të një borxhi financiar prej 1 mijë euro që autori i kishte Hysollit.

Një tjetër dënim nga Gjykata Mustafa ka marrë në shkurt të 2010, pasi ështe gjetur fajtor dhe dënuar me 660 mijë lekë të vjetra gjobë për akuzën e “drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie dhe në gjëndje të dehur”.