Kokainë mes bananeve, arrestohet administratori i kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u gjet në një apartament në Tiranë
Efektivët e komisariatit Nr.6 në Tiranë, kanë bërë arrestimin e biznesmenit të bananave Eduard Dauti, i cili rezulton i shpallur në kërkim qysh prej muajit qershor 2021, fillimisht me vendim të Gjykatës së Durrësit dhe më pas nga SPAK.
Dauti është pronari i kompanisë “Alba Exotik Fruits” në Tiranë, një kompani kjo që kryen importimin e frutave nga Ekuadori në Amerikën Latine në Shqipëri.
Në të paktën 6 raste në kontinjerët e kësaj kompanie, policia e Durrësit arriti të gjejë sasi që varionin nga 7 deri në 20 kg kokainë, të cilat ishin fshehur na kapakët e ftohjes së kontejnerëve.
Fillimisht u arrestua vëllai i Eduard Dautit dhe më pas u shpall në kërkim ky i fundit, i cili ndodhej në Francë.
Agjentët e policisë së Komisariatit Nr.6 kanë zbuluar se Dauti qëndronte në Tiranë dhe jo jashtë shtetit. Nëpërmjet ndjekjes së disa familjarëve dhe punonjësve të tij, policia ka zbuluar se Dauti qëndronte në një apartament në Tiranë.
Pasi është mësuar kati dhe vendndodhja e apartamentit është mundësuar dhe ndërhyrja për arrestimin e tij, operacion i cili është kryer nga efektivët e komisariatit Nr.6.
Kujtojmë që edhe biznesi i këtij personi të shpallur në kërkim nuk ndodhet shumë larg komisariatit të Kombinatit.
Pritet që në ditët në vijim, Eduart Dauti, ti bashkohet vëllait të tij në qeli, Bajron Gumenit, i cili prej muajit qershor 2021 vijon të qëndrojë në burg për akuzën e Trafikut të Narkotikëve kryer në bashkëpunim.
Nga ana tjetër, SPAK ka vendosur në sekuestro kompaninë “Alba Exotik Fruits”, me qëllim mos tjetërsimin e aksioneve.
Njoftimi i policisë për arrestimin
Kapet dhe vihet në pranga administratori i firmës “Alba Exotic Fruit”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim, në vijim të operacionit policor të koduar "Rada", bënë kapjen e shtetasit:
- E. D., 51 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas është shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" kryer në bashkëpunim, "Grupi i strukturuar kriminal" dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal".
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit, gjatë kontrolleve, në kontenierët e firmës "Alba Exotic Fruit", në disa raste, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, sasi lënde të dyshuara narkotike të llojit kokainë.

