Një tjetër talent që po shpërthen. Eljon Toçi tripletë dhe finale në Kupën e Italisë

Jo vetëm Kristjan Asllani është një prej lojtarëve ku mund të ndërtohet e ardhmja e kombëtares por edhe Eljon Toçi duket se është gati për hapin e madh.

Sulmuesi shqiptar ishte protagonist i madh dhe heroi i Fiorentinës për të rinjtë duke udhëhequr skuadrën drejt finales së Kupës së Italisë për këto mosha me një tripletë spektakolare në suksesin 5-2 ndaj Romës.

19-vjeçari kuqezi hapi rrugën e përmbysjes për ekipin vendas me dy gola në pjesën e parë në dy minuta, teksa shënoi edhe në pjesën e dytë duke lënë gjurmën e tij në këtë përballje me një tripletë.

Për Fiorentinën e të rinjve është finalja e katërt në histori, çka tregon edhe rëndësinë e golave që ka realizuar Toçi i cili është grumbulluar deri tani me Shpresat e Alban Bushit./Ora News/.