Benzema e fton te Reali. Macron lobon që Mbappe të qëndrojë në Paris
Po zhvillohet një “luftë” e madhe nën rogoz për të ardhmen e Kylian Mbappe. Sulmuesi francez që shkëlqeu jo vetëm ndeshjen e fundit por gjatë gjithë këtij sezoni duke lënë në hije Messin, është në fund të kontratës dhe ende nuk ka vendosur apo se ka pranuar se ku do të luajë vitin tjetër.
Sot Karim Benzema në një reagim për mediat spanjolle e ka lënë të kuptojë se dëshiron ta ketë francezin te Reali duke thënë se me të do të shënojë një mal me gola.
Por ka edhe një lobim të fortë nga ana tjetër ku sipas asaj që raporton gazetari Romain Molina, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Emiri i Katarit janë duke tentuar ta bindin Mbappen që të qëndrojë në Paris.
Megjithatë edhe pse në tryezë ka një ofertë marramendëse e me gjithë ndërhyrjet e mëdha, Mbappe ka bërë të ditur se nuk dëshiron që të nxitohet me vendimin për të ardhmen e tij dhe pret që të merr një vendim së shpejti./Ora News/.
