Vllaznia nuk di të fitojë, Partizani mposht mes spektaklit Laçin
Java e 27-të e Superiores mbyllet me dy sfida që prodhuan spektakël dhe dramë në fushën e lojës.
Në “Elbasan Arena”, Partizani rigjeti 3 pikët në një ndeshje shumë të bukur ndaj Laçit, me këta të fundit që mund të thuhet se janë në krizë pasi bëhen 6 ndeshje pa fitore në kampionat.
2-1 ishte rezultati final për të kuqtë që bënë më mirë me rastet e shfrytëzuara në një ndeshje të luajtur shumë hapur nga të dyja ekipet.
Që në minutën e 10’ Enea Bitri kaloi përpara Partizanin me një gjuajtje me kokë teksa Laçi iu përgjigj me disa raste shumë të mira që nuk u shfrytëzuan nga Mazrekaj.
Gjithsesi, golin e gjetën menjëherë në pjesën e dytë kurbinasit kur Adeleke i sapo futur në lojë mposhti Alban Hoxhën.

Në 58’ rikthehen në avantazh vendasit pas një ndërhyrje shumë të gabuar të Velkovskit dhe Skuka nga pika e bardhë nuk gabon. Ndeshja është e hapur dhe me raste teksa në fund gjithsesi triumfon skuadra e Mehmetit 2-1.
Në “Loro Boriçi” ndërkohë Vllaznia pëson një humbje tjetër duke konfirmuar formën shumë të keqe. Me Plorin në stol ende kuqeblutë nuk kanë marrë një fitore dhe sot u përmbysën në shtëpi nga Kastrioti ose më saktë nga Edon Hasani që me një dygolësh i dha 3 pikë Kastriotit.
Pas një pjese të parë të mirë për vendasit por pa gola të shënuar, Vllaznia në 46’ arrin te goli me Aralicën pas pasimit të Hoxhaj. Vendasit krijojnë sërish dhe nuk arrijnë të dyfishojnë teksa miqtë gjejnë golin e barazimit pas një rrëmuje në zone me Edon Hasanin.
Ky i fundit jo vetëm që barazoi porn ë 86’ i jep dhe goditjen e fundit Vllaznisë me një supergol nga distance per ta kthyer ndeshjen 2-1 me Kastriotin që merr kështu 3 pikë shumë të rëndësishme për mbijetesën./Ora News/.
