Rusia humbet një betejë të rëndësishme. Nuk shkon në Botëror, tërheq apelin në CAS
Rusia humbet një betejë të rëndësishme jashtë Ukrainës. Në futboll Federata e Rusisë nuk do të vijojë luftën ligjore ndaj FIFA-s për të gjetur një mënyrë që të shkojë në Botërorin e Katarit.
Tanimë është zyrtare pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë ka bërë të ditur statusin e apelit që kishte bërë Rusia dhe në fakt ajo është terhequr si kërkesë që më 30 Mars.
Që do të thotë se Federata e përjashtuar nga FIFA, ka pranuar vendimin e këtyre të fundit për të mos shkuar në Botëror, rrjedhimisht përmes playoffit ku duhej të ndeshej me Poloninë e më pas me fituesin e çiftit Suedi-Ceki.
Nga ana tjetër, mësohet se apeli i Federatës Ruse kundër UEFA-s është ende aktiv si status dhe pritet të shqyrtohet nga CAS dhe këtu nuk do të ketë tërheqje deri në një vendim. Rusia kërkon që të rikthehen klubet ruse të futbollit dhe kombëtarja në evenimentet e futbollit europian teksa CAS do të ketë dhe fjalën e fundit./Ora News/.
