Plori: Ekipi nuk ka freski, vuan psikologjikisht. Mehmeti me kritika për Partizanin
Elvis Plori mendon se Vllaznia nuk bëri shumë për të gjetur golin që do të mbyllte ndeshjen me Kastriotin ndërsa u përpoq të shpjegonte edhe arsyet që çuan në humbjen në “Loro Boriçi”.
“Donim të bënim kthesën dhe pësuam dy gola kur ishin në avantazh. Moment i vështirë, gabuam shumë. Mund të dyfishonim me Aralicën me kokë por mendoj se u ndie dhe lodhja, si dhe në anën psikologjike janë të dërrmuar lojtarët. Kemi edhe 9 javë, ne jemi ende në lojë, kemi ndeshjen për të shkuar në finale të Kupës. Duhet të ngremë kokë dhe të mendojmë pozitivisht. Duhet ta analizojmë këtë ndeshje, sidomos në anën psikologjike. Ka një ngarkesë nga ana psikologjike, presion nga ambienti, duke përfshirë edhe tifozët, që janë kërkues ndaj skuadrës. Skuadra ka ngërç nga ana psikologjike, por duhet të mendojmë pozitivisht. Goditja psikologjike reflektohet te rezultatet”, u shpreh trajneri i Vllaznisë.
Ndërkohë Partizani mundi Laçin në “Elbasan Arena” por për trajnerin Mehmeti ekipi bëri disa gabime që duhen analizuar pasi kjo gjë mund të dëmtonte ekipin dhe fitoren e arritur.
“Nuk më pëlqeu që skuadra u vendos gabim në pësimin e golit dhe për këtë jam shumë i mërzitur. Të pësosh të tillë gola, i jep iniciativë kundërshtarit. Partizani duhet të bëjë Partizanin dhe të rrisë cilësinë e lojës dhe të shoh në të dyja frontet, kampionat dhe Kupë. Përballë një kundërshtari të mirëorganizuar si Laçi na kënaq fitorja, por duhet të nxjerrim mësime sepse bëmë gabime. Kallaku? Nuk është në një moment të mirë në aspektin fizik dhe jam munduar ta vendos në një linjë ku është në pozicion natyral, si numër 10, fantazist. Por duke vuajtur fizikisht, vuan në pjesën taktike. Ai duhet të bëjë më shumë të përshtatet me skuadrën, por sot ka bërë mirë dhe shpresoj të rritet. Rritja e Skukës? Unë i bërtas më shumë, jam kërkues sepse i kam parë cilësitë e një bomberi te ai. Të qëndroj me këmbë në tokë, i ka mundësitë të rrisë ritmin. Në zonat e ngushta duhet të jetë më i shkathët, është i vështirë si karakter”, deklaroi trajneri i të kuqve në fjalën e tij./Ora News/.
