Berisha: Guvernatorja dhe as Zeusi Rama s'do kenë kurrë tagër të caktojnë kryetarin e PD

Lideri demokrat Sali Berisha i përsëriti edhe njëherë Ambasadores amerikane Yuri Kim se nuk do të ketë asnjë mundësi të ndërhyjë në punët e brendshme të PD, aq më pak të caktojë kryetarin e saj.

Berisha: Kryetari i PD u shkarkua me datën 11 dhjetor me 4446 vota të delegatëve dhe 44 mijë vota të anëtarëve të saj me datën 18 dhjetor.Përveç anëtarëve të PD me votën e lirë, asnjë njeri cilidoqoftë,  as guvernatorja dhe as Zeusi Rama nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë tagër të caktojnë kryetarin e PD. Një përpjekje e dështuar për të ndërhyrë në shkelje flagrante të Konventës së Vjenës në sovranitetin e një force të lirë politike. Kurrë as kryetarin dhe as kryesinë nuk do mund të caktojë kush për këtë parti, përveç anëtarësia e saj.

I pyetur nëse do vijojë të njohë Alibeajn si kryetar i grupit parlamentar të PD, ai u përgjigj:

Berisha: Ai është kryetar i grupit parlamentar. Natyrisht grupi parlamentar drejtohet nga kryesia e grupit parlamentar dhe kërkesa e vetme është kjo: Vendimet për drejtimin e grupit, i cili është politik, të merren nga kryesia e grupit parlamentar dhe në raste të caktuara Komisioni i Rithemelimit mund të ndërhyjë pa asnjë mëdyshje. Por nuk kemi arsye sepse linja politike është qartë, kundërshtari ynë është Edi Rama.

Deklaratat Berisha i bëri në mbyllje të mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit ku tha se u diskutua mbi organizimin e partisë.