Loja me top u kthye në tragjedi, 10-vjeçarin e "përpiu" rrjedha e lumit Fan. Vijojnë kërkimet
Ende asnjë gjurmë nga fëmija 10 vjeçar që dyshohet se u mbyt në Lumin Fan në Mirditë, ndërsa trupin e mori rrjedhja. Tç afërmit tregojnë se ai u fut në lum për të marrë një top, ndërsa ngjarja rrezikoi përmasa tragjike gjatë tentativës së vëllait për ta shpëtuar.
Loja me top buzë lumit Fan ku jetonte, përfundoi në tragjedi për një 10 vjeçar dhe familjen e tij në Shturngaj të Mirditës.
Rrjedhja e ujit e mori me vete trupin e fëmijës që dyshohet se është mbytur.
"I ka rënë topi në ujë dhe e ka ndjekur ta japë. Ka rënë në ujë djali."
Ngjarja u shënua pasditen e së martës, 5 prill dhe rrezikoi të marrë përmasa më tragjike gjatë tentativës së vëllait për të shpëtuar 10 vjeçarin.
"I vëllai ka shkuar ta nxjerrë dhe ka rrezikuar jetën por për fat ka shpëtuar."
Në operacionin për gjetjen e trupit tashmë janë përfshirë banorë të zonës, polumbarët e forcave RENEA dhe forca të policisë lokale.
Por familjarët akuzojnë për ndërhyrje të vonuar dhe kërkojnë më shumë angazhim.
"Të paktën t'i bëjmë ceremoni."
"Kjo punë do mobilizim të madh për ta gjetur se ndryshe...është zall shumë i vështirë."
Rrjedha e fortë e lumit Fan dhe temperaturat e ulëta vështirësojnë kërkimet pa mjetet e posaçme.
