Ambasadorja Kim zbardh detaje nga takimi me Ballën: I domosdoshëm vazhdimi i reformës në drejtësi

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka zbardhur detaje nga takimi 1 orësh me kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Takimi që filloi rreth orës 11:30 u zhvillua në kryesinë e Kuvendit.

"U takova me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Ballën për të diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit midis SHBA dhe Shqipërisë gjatë festimit të njëqindvjetorit tonë, vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbështetet nga SHBA dhe është e nevojshme që Shqipëria të anëtarësohet në BE si dhe respektimin e rolit institucional të Parlamentit", shkruan Kim në Twitter. 

Dy ditë më parë, 4 prill ambasadorja takoi kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, ndërsa ditën e djeshme ajo takoi Kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj.

Në fokus të këtyre takimeve të ambasadores është zgjedhja e Presidentit të ri.