Çuçi në Athinë: Greqia të njohë të drejtat e shqiptarëve
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi zhvilloi një vizitë dy ditore në Athinë ku pati takime me 3 ministra të kabinetit qeveritar që mbulojnë emigracionin, çështjet e brendshme, qeverisjen lokale dhe policinë. Temë e diskutimit ka qenë respektimi i të drejtave të shqiptarëve.
“Nga ministri për Migracionin dhe Azilin mora premtimin se komuniteti shqiptar në Greqi do të marrë një trajtim të veçantë përsa i përket lejeve të qëndrimi dhe në përgjithësi të gjithë trajtimit në zyrat e emigracionit këtu në Greqi. Vendosëm një komunikim direkt për çdo shqetësim të shqiptarëve nëpërmjet ambasadores tonë në Athinë", tha Çuçi.
Bashkëpunimi policor dhe operacionet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit po ashtu ishin në qendër të vëmendjes.
“Me Ministrin e Brendshëm biseduam për sfidat e përbashkëta që kemi në lidhje me funksionimin e bashkive apo qeverisjes vendore në secilën nga vendet tona. Gjithashtu ramë dakord që strukturat përkatëse të ministrive bashkë me strukturat e bashkive kufitare me Greqinë të bashkëpunojnë për të përfituar nga programet e financuara nga BE”, shtoi ministri i Brendshëm.
Ministri i Brendshëm i Shqipërisë pati gjithashtu edhe një takim me kryebashkiakun e Athinës, Kostas Bakojanis, ku u bë e ditur nisja e punës për hapjen e një qendre kulturore shqiptare në kryeqytetin grek.

