Aksidenti me 3 të plagosur në Maliq, arrestohet një nga shoferët, policia: Kishte qenë i dehur

Katër persona mbetën të plagosur në një aksident rrugor në Maliq. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë, 5 prill rreth orës 19:45, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, pranë kryqëzimit të fshatit Plasë.

Policia bën me dije se kanë bërë arrestimin e njërit prej shoferëve të përfshirë në aksident dhe filluan procedimin penal për shoferin tjetër.

Mësohet se u bë arrestimi i shtetasit J. L., 51 vjeç, banues në Korçë dhe po hetohet në gjendje të lirë B. C., 35 vjeç, banues në fshatin Plasë, Maliq.

J.L duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Renault”, është përplasur me mjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin B. C. dhe për pasojë janë dëmtuar drejtuesi i mjetit tip “Toyota” shtetasi B. C; pasagjeri i mjetit tip “Renault” shtetasi A. M., 58 vjeç, banues në Korçë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën, si edhe shtetasja J. E., 17 vjeçe, banuese në Pogradec, pasagjere në mjetin tip “Toyota”, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.