E njohu Kim apo SHBA Alibeajn si kryetar të PD? Berisha: Ambasadorja nuk po bën rolin e saj, ka gjetur terren te Rama e Basha
Takimi i ambasadores amerikane Yuri Kim me Enkelejd Alibeaj, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, siç ajo e konsideroi atë në postimin në Twitter në përfundim të takimit, provokoi një reagim të ashpër të Komisionit të Rithemelimit.
Për ish-kryeministrin Sali Berisha kjo është një provë që PD në drejtimin e Bashës ka qenë një seksion i Guvernatores.
Ai nuk preferoi të komentojë nëse deklarata ishte një qëndrim i saj personal apo i SHBA, por theksoi se diplomatja falë terrenit që ka gjetur te Rama dhe Basha nuk po kryen rolin që i takon.
Deklarata e djeshme e Ambasadores amerikane Yuri Kim që pranonte Enkelejd Alibeaj si kryetar i PD-së mendoni se ishte një deklaratë e saj personale apo qëndrim i SHBA?
Berisha: Ishte një dështim i ri i saj i paralajmëruar. Siç e dini Guvernatorja Kim ka lënë mënjanë rolin e Ambasadores, e cila në përputhje me Konventën e Vjenës, Kushtetutën e Shqipërisë dhe SHBA, nuk ka asnjë tagër të ndërhyjë në jetën e brendshme të një force politike dhe shpreh kënaqësinë e madhe që çdo shqiptar e sheh, e ka të qartë se çfarë përpjekjesh, imagjino në çfarë gjendje ka qenë PD sikur të ishte një seksion i Guvernatores. Ambasadat dhe ambasadorët janë të respektuar por zonja në fjalë shkel çdo rregull, preferon për shkaqe të terrenit që ka gjetur te Edi Rama dhe Lulzim Basha të bëjë atë rol që nuk i takon.
