Para se të çohen në BE, një ndalesë në Lazarat. Zbulohet banesa ku ishin fshehur 18 emigrantë
Policia ka zbuluar një rrjet të trafikut të klandestinëve nga Lindja e Mesme. Emigrantët, që kishin si qëllim kalimin në vendet e BE-së, strehoheshin në banesa të braktisura në Lazarat dhe më pas do të udhëtojnë drejt Tiranës kundrejt fitimit.
Dje, (5 prill 2022) në vendin e quajtur "Teqja", në fshatin Lazarat, Gjirokastër, në ambientet e disa banesave të braktisura, janë gjetur 18 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët kishin hyrë dhe qëndronin ilegalisht në Shqipëri
“Nga veprimet e para hetimore rezultoi se emigrantët e paligjshëm ishin strehuar nga shtetasit G. B. dhe V. A., me qëllim transportimin e tyre në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit” informoi sot policia. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet, 1 aparat celular dhe 100 euro të dyshuara të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit", kryer në bashkëpunim dhe "Falsifikimi i monedhave".
Operacioni u kodua ”COMPASS”
