Ambasadorja amerikane tre ditë radhazi në Kuvend, takimi 60 minutësh me Taulant Ballën
Në ditën e tretë të vizitës së saj në Kryesinë e Kuvendit, ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka shkuar në zyrë kryetarit të grupit parlamentar të PS.
60 minuta bisedime me Taulant Ballën kanë shërbyer për ambasadoren amerikane për t’i vënë pikat mbi i për çështjet e nxehta të padakordësuar në të cilat është përfshirë politika shqiptare.
Takimi me Ballën vjen një ditë pas takimit të diplomates amerikane me kreun e grupit të PD Enkelejd Alibeaj, e cili tensionoi më tepër marrëdhëniet e demokratëve mes njëri-tjetrit dhe të demokratëve me Yuri Kim.
Pavarësisht se zgjedhja e emrit të ri të Presidentit nuk po arrin të ulë palët në tryezë, Ambsadorja amerikane në cicërimen e saj në twitter nuk e ka prekur si temë ë bisedimeve, por ashtu si në takimet e tjera theksin e vuri vetëm tek reforma në drejtësi.
"U takova me Kryetarin e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Ballën për të diskutuar mbi rritjen e bashkëpunimit midis SHBA dhe Shqipërisë gjatë festimit të njëqindvjetorit tonë, vazhdimin e zbatimit të reformës në drejtësi, e cila mbështetet nga SHBA dhe është e nevojshme që Shqipëria të anëtarësohet në BE si dhe respektimin e rolit institucional të Parlamentit" shkruan ambasadorja.
Pavarësisht nevojës publike për një President konsensual, socialistët janë të angazhuar që nëse deri në fund të procedurës parlamentare për të zgjedhur kreun e shtetit nuk arrijnë konsensusin me PD, atëherë Presidenti i ri do të jetë vetëm i zgjedhuri i PS. Socialistët kanë kohë deri në fund të prillit që t’i dorëzojnë zarfin kryesocialistit Rama me propozimet e tyre.
