"Kurti, luftëtar i rremë i UÇK-së", Partia Socialdemokrate padit për mashtrim kryeministrin

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka paditur për mashtrim kryeministrin Albin Kurti sa i përket statusit të veteranit të luftës. Sipas kreut të kësaj force, Dardan Molliqaj, Kurti nuk ka qenë luftëtar dhe ka një qasje anti-UÇK.

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka kallëzuar penalisht kryeministrin Kurti në Prokurori lidhur me statusin e veteranit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare.

Sipas kreut të kësaj partie, Daradan Molliqaj kryeministri ka gënjyer se ka qenë luftëtar i UÇK-së.

Pak ditë më parë, kryeministri Kurti ka folur për veteranët e luftës të cilët përfitojnë pension më të lartë dhe tha se nuk mund të ketë 60 mijë veteranë aq sa rezultojnë aktualisht por trefish më pak.

Sipas Molliqajt, qëllimi i Kurtit nuk është të luftojë veteranët e rremë, por të përbaltë ata të vërtetët.

I pari i socialdemokratëve e akuzon kreun e Vetëvendosjes se po tenton edhe të rishkruajë historinë e UÇK-së.