Mbyllen vendvotimet në Serbi, votuan rreth 60 % e serbëve me të drejtë vote

Në ora 20:00 ka përfunduar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Komisioni i Zgjedhje në Serbi tha se dalja e përgjithshme në zgjedhje mund të jetë ndërmjet 58 dhe 60 për qind e votuesve. Këto shifra janë dukshëm më të larta krahasuar me pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, kur kishin votuar 48.8 për qind e votuesve.

Përfaqësuesit e komisionit njoftuan se nuk do të shpallin rezultatet preliminare të zgjedhjeve gjatë natës së zgjedhjeve. Kjo është hera e parë që ky komision njofton për një vendim të tillë.

Komisioni tha se do të shpallë rezultatet të hënën më 4 prill deri në orën 20:00, kurse rezultatet e para jozyrtare preliminare do të shpallen më vonë në mbrëmje.

Në zgjedhjet e Serbisë të drejtë vote kanë pasur 6.5 milionë votues.

Vëzhguesit e zgjedhjeve në Serbi kanë raportuar parregullsi të shumta në disa qendra të votimit.

Misioni vëzhgues i organizatës joqeveritare CRTA ka dorëzuar në polici shtatë kallëzime penale për parregullsi.

Siç tha përfaqësuesi i kësaj organizate, këto parregullsi përfshinin blerjen e votave në qendrat e votimit, mbajtjen paralele të listave të votuesve, cenimin e fshehtësisë së votimit, si dhe praninë e personave të paautorizuar në vendvotime.

Lideri i njërës prej partive opozitare "Lëvizja Qytetarët e Lirë" (PSG), Pavle Grboviq, ka raportuar për sulm fizik në afërsi të një qendre të votimit.

Ai ka pretenduar se është sulmuar nga anëtarët e partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe (SNS), derisa tha se ka pësuar lëndime në kokë. SNS i mohoi këto pretendime.

Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme përmes një njoftimi tha se Grboviq nuk i është përgjigjur thirrjes për të ardhur në polici dhe për të dhënë deklaratë me rastin e incidentit.

Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve tha në konferencën për shtyp se në qendra të caktuara votimi janë regjistruar përplasje të “aktivistëve të ndryshëm partiakë” dhe se për këtë kanë raportuar mediat.

Ai u bëri thirrje të gjitha partive politike që “të qetësojnë gjakrat” dhe “ta kalojnë pjesën tjetër të ditës së zgjedhjeve në paqe”.

Votuesit në Serbi të dielën kanë votuar për zgjedhjet presidenciale, me presidentin populist Aleksandar Vuçiq –i cili mburret për lidhjet e tij personale me presidentin rus, Vladimir Putin teksa Rusia vazhdon pushtimin e paprovokuar të Ukrainës – që pritet të fitojë një mandat tjetër pesëvjeçar në krye të shtetit.

Votuesit më 3 prill po ashtu votuan për zgjedhjet parlamentare, në të cilat, Partia Përparimtare Serbe (SNS) po ashtu pritet të dominojë. Njëkohësisht u mbajtën zgjedhjet lokale për disa komuna, përfshirë edhe për kryeqytetin serb, Beogradin.

Në zgjedhjet parlamentare serbe morën pjesë edhe partitë shqiptare, të cilat garuan me dy lista: Koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar dhe Alternativa Demokratike Shqiptare - me gjithsej 20 kandidatë.

Ndërkaq, serbët në Kosovë, me shtetësi të dyfisht votuan në komunat brenda Serbisë, pasi Qeveria e Kosovës nuk lejoi që këto zgjedhje të mbahen brenda territorit të shtetit. Kosova tha se i kishte kërkuar Serbisë që t'i dërgonte kërkesë Qeverisë në Prishtinë për mbajtjen e zgjedhjeve, por Beogradi nuk pranoi.

Të dielën në mëngjes, më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Rashka është një nga komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Transport i organizuar është bërë edhe në Graçanicë, një komunë e banuar me shumicë serbe, që gjendet pranë Prishtinës.

Transporti i qytetarëve për në Serbi është bërë nën organizimin e komunave serbe, si ato që funksionojnë së sistemin e Kosovës, po ashtu ato në sistemin e Serbisë.

Shtetet e Quint-it kishin shprehur "zhgënjim të madh" me vendimin e Qeverisë së Kosovës për moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe.

Ndërkaq, pesë vjet pasi fitoi mandatin e parë si president, Vuçiq vazhdon të jetë forca dominuese në Serbi, duke predikuar paqe dhe stabilitet në një kohë kur Evropa po përballet me konfliktin më të madh që prej Luftës së Dytë Botërore.

Por, kritikët e tij thonë se ai ka rritur kontrollin e pushtetit përmes kontrollit të mediave dhe Qeverisë, deri në atë pikë saqë muajin e kaluar, tregoi se 43 për qind e të anketuarve u shprehën se nuk besonin se zgjedhjet e 3 prillit do të jenë të lira apo fer.

“Në vitet e fundit, partia në pushtet Partia Përparimtare Serbe ka cenuar në mënyrë të vazhdueshme të drejtat politike dhe liritë civile, duke ushtruar presion mbi mediat e pavarura, mbi opozitën dhe organizatat e shoqërisë civile”, tha Freedom House në vlerësimin e tij të fundit për Serbinë, duke e renditur shtetin në vendin e 62-të nga 100 shtete në indeksin e lirisë për vitin 2021.

Sfiduesi kryesor i Vuçiqit në këto zgjedhje është ish-shefi i ushtrisë Zdravko Ponosh – një gjeneral në pension, që doli si befasi si kandidat i kampit opozitar pro Bashkimit Evropian.

Ponosh, 60 vjeç, është “kandidat i qendrës së djathtë dhe duket se opozita dëshironte të gjente një person i cili do të mund të ishte një kandidat i mirë për atë që konsiderohet në skenën politike në Serbi, që anon nga e djathta”, tha Bojan Klacar, drejtor menaxhues i agjencisë së sondazheve Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci.

Një sondazh i Institutit për Çështje Evropiane, me seli në Beograd, ka parashikuar se Vuçiq do të fitojë në rundin e parë duke marrë 60 për qind të votave dhe Ponosh do të dalë i dyti me 18 për qind.

Presidenti mund të zgjidhet në rundin e parë nëse merr më shumë se 50 për qind të votave të vlefshme. Në të kundërtën, dy kandidatët me më së shumti vota përballen në rundin e dytë të balotazhit.

Dhe sipas sondazhit të këtij instituti, Parlamenti i ri – që ka 250 ulëse – me gjasë do të përbëhet nga katër ose pesë parti: SNS në pushtet me 57 për qind, Serbia e Bashkuar me 19 për qind, Partia Socialiste e Serbisë me 6.6 për qind, Moramo (Ne duhet) me 5.7 për qind. Ndërkaq, koalicioni NADA (Shpresa) sipas sondazhit, do të jetë rreth pragut të 3 përqindëshit, dhe kjo parti mund ta kalojë pragun dhe të futet në Parlament.

Një rezultat i tillë do të ishte një fitore e madhe për SNS pasi do të ishte hera e parë që kjo parti do të merrte mbi 50 për qind të votave./ REL