Vuçiç shpall fitoren në zgjedhjet e Serbisë, Shqiptarët ruajnë ulësen

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka fituar mandatin e dytë presidencial në Serbi kundër opozitës së përçarë me 7 kandidatë. Në zgjedhjet parlamentare, në të cilat partia e Vuçiç kryeson, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës ka arritur të sigurojë mandatin e tij.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka arritur të marrë një mandat të dytë si kryetar shtetit me rreth 60% të votave të serbëve kundrejt shtatë kandidatëve të opozitës.

Partia e kandidatit të dytë më të votuar Zdravko Ponosh ka marrë 18% të votave.

Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës i kryesuar nga Shaip Kamberi ka arritur të mbajë mandatin e deputetit duke fituar 0,3% të votave të përgjithshme, ndërsa Alternativa Demokratike Shqiptare ka marrë vetëm 0,1% të votave.

Partia Progresiste Serbe e presidentit Vuçiç ka marrë mbi 43% votave duke konfirmuar Ana Brnabiç edhe njëherë si kryeministre të vendit, ndërsa partia e kryetarit të Kuvendit Ivica Daçiç i cili shpalli kandidaturën për kreun e qeverisë doli në vendin e tretë me vetëm 11,4%.

Në fjalimin e fitores, presidenti Vuçiç zgjodhi sërish neutralitetin.

Ai tha se vendi do të ecte drejt rrugës evropiane, por pa ndërprerë marrëdhëniet e mira tradicionale me Rusinë.
Gjithashtu ai premtoi edhe marrëdhënie të mira në rajon.

Vuçiç: "Besoj se do të përballemi me shumë sfida, por më e rëndësishmja për Serbinë është të ketë marrëdhënie të mira në rajon, të vazhdojë marshimin e saj evropian, por pa i prishur njëkohësisht lidhjet me miqtë e saj tradicionalë.

Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të ruajtur në mënyrën më të mirë të mundshme marrëdhëniet tona, jo vetëm korrekte, marrëdhënie partnere, por edhe miqësore me Federatën Ruse"

Kreu i shtetit premtoi edhe njëherë se Serbia nuk do të hyjë në Aleancën e NATO-s.