Rama uron Vuçiç për rizgjedhjen si President i Serbisë

Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ka uruar presidentin e Serbisë për rizgjedhjen në krye të shtetit edhe për një mandat të dytë.

Lajmin e kanë bërë e dije mediat serbe, ku Rama shfaqet mes liderëve që kanë uruar Vuçiç për fitoren e zgjedhjeve përfshirë Macron e Francës dhe Lukashenkon e Bjellorusisë.

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka fituar mandatin e dytë presidencial në Serbi kundër opozitës së përçarë me 7 kandidatë. Në zgjedhjet parlamentare, në të cilat partia e Vuçiç kryeson, deputeti shqiptar nga Lugina e Preshevës ka arritur të sigurojë mandatin e tij.



Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka arritur të marrë një mandat të dytë si kryetar shtetit me rreth 60% të votave të serbëve kundrejt shtatë kandidatëve të opozitës.

Partia e kandidatit të dytë më të votuar Zdravko Ponosh ka marrë 18% të votave.

Sa u përket zgjedhjeve parlamentare, Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës i kryesuar nga Shaip Kamberi ka arritur të mbajë mandatin e deputetit duke fituar 0,3% të votave të përgjithshme, ndërsa Alternativa Demokratike Shqiptare ka marrë vetëm 0,1% të votave.

Partia Progresiste Serbe e presidentit Vuçiç ka marrë mbi 43% votave duke konfirmuar Ana Brnabiç edhe njëherë si kryeministre të vendit, ndërsa partia e kryetarit të Kuvendit Ivica Daçiç i cili shpalli kandidaturën për kreun e qeverisë doli në vendin e tretë me vetëm 11,4%.