U mbyt në lumin Fan, i afërmi i 10-vjeçarit: I vëllai tentoi ta shpëtonte, por s'mundi! Policia u mobilizua vonë

Nuk ka asnjë gjurmë nga 10-vjeçari i mbytur ditën e djeshme në lumin Fan në Mirditë. Teksa polumbarët kanë rinisur kërkimet për gjetjen e trupit një i afërm i të miturit ka hedhur akuza mbi policinë duke thënë se nuk është mobilizuar në kohë. Ai ka treguar për mediet se vëllai ka tentuar ta shpëtojë 10-vjeçarin por nuk ka mundur. Familjarët nisën kërkimet vetë pasditen e djeshme, por pa rënë në gjurmët e tij.

"Djali ka qenë dje në orën 15:30 duke luajtur me top me kalamajtë atje. I ka rënë topi në ujë dhe e  ka ndjekur ta kapë. Djali ka rënë në ujë. Jemi munduar për ta gjetur dje që në orën 17:00. U errësua dhe ka pasur pak mobilizim, vetëm çfarë kanë dëgjuar fshatarët dhe kanë dalë. I bëjmë thirrje shtetit që të ngrihet në këmbë se një djalë 12 vjeç po të ishte diku tjetër do ishte bërë problem, në Shqipëri jo. Ka qenë me vëllain e vete dhe me 2-3 shokë duke luajtur pas shkollë.

Vëllai i vet ka hyrë në ujë deri në qafë për ta nxjerrë dhe ai ka shkuar i lagur. Ka rrezikuar jetën dhe ai por për fat ka shpëtuar. Ai i shkreti është në ujë që nga ora 15:30 e djeshme. Po nuk na ndihmoi shteti nuk e di si do bëjmë se është zall shumë i vështirë. Populli këtej është i gjithi duke kërkuar, mobilizimi ka filluar sot nga ora 09:00. Tani të shohim çfarë do bëhet, kjo punë do mobilizim shumë të madh. I bëjmë thirrje shtetit të çohet menjëherë ta gjejmë, ta dijë nëna e baba i vet që e gjetëm", tha ai. 

10-vjeçari ka qenë duke luajtur me top  kur ka ndodhur ngjarja e rëndë. Topi i ka rënë në lumë, ai ka vrapuar për ta kapur por rryma e mori me vete.