Bumçi: Demokratët vendosën në 11 dhjetor e në 6 mars, Yuri Kim s’mund t’i caktojë kryetarin PD-së

Në një intervistë për RTV Ora, ish-deputeti demokrat Aldo Bumçi u shpreh se rëndësi ka vullneti i demokratëve që është shprehur me votën e 11 dhjetorit dhe 6 marsit.

Sipas tij, në lidhje me çështjen e presidentit nuk ka diskutime dhe se PD-ja do të mbledhë forumet e saj dhe do të dalë në një qëndrim institucional

Bumçi: Rëndësi ka vullneti i demokratëve që është shprehur me votën e 11 dhjetorit dhe 6 marsit. Ne jemi shumicë edhe pse nuk kemi pasur logu duke dalë me një diferencë të madhe me kandidatët e Bashës. Kjo është një çështje e vërtetuar dhe është shprehur edhe gjykata më pas. Gjykata na dha të drejtën ligjore për selinë dhe për logon. Ky është edhe vullneti i demokratëve dhe shqiptarëve. Çdo qëndrim tjetër do të thotë të mos respektosh qytetarët e këtij vendi.

Në lidhje me çështjen e presidentit nuk ka diskutime ende që kanë nisur. PD-ja do të mbledhë forumet e saj dhe do të dalë në një qëndrim institucional dhe legjitim. Ambasadorja mund të takojë kë të dojë, por se cili do të jetë krye i PD-së caktohet nga vota dhe kjo do të thotë të mos respektosh vullnetin e votuesve. Vlera e demokracisë dhe botës së lirë është respektimi i votës së qytetarëve.

Bumçi shtoi se t’i caktosh kryetarin opozitës nuk është aspak demokratike dhe se nuk ka opozita të emëruar, por është vullneti i lirë i qytetarëve që e vendos një gjë të tillë.

Bumçi: Nuk është problem që Yuri Kim takohet me Alibeajn, por është problem që e cilëson si të komanduar. T’i caktosh kryetarin opozitës nuk është aspak demokratike. Nuk ka opozita të emëruar, por është vullneti i lirë i qytetarëve që e vendos një gjë të tillë. Çdo përpjekje tjetër është një mbështetje për Edi Ramën. Yuri Kim ka mbështetur edhe Rudina Hajdarin. Nëse do të krijosh përçarje në opozitës, përfituesi është vetëm Edi Rama.