Devijimi i Unazës, protesta tek ARRSH dhe Kadastra nga banorët e Paskuqanit, Laprakës e Kodrës së Priftit
Banorët e Laprakës dhe të Paskuqanit, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe, u takuan me kreun e Kadastrës Artan Lame. Ata thanë se gjatë bashkëbisedimit u është premtuar që çështja e tyre do të shihet me përparësi. Qytetarët bënë thirrje për një takim dhe me kryeministrin Rama për ta vënë në dijeni për problemin e shtëpive të tyre që po shemben nga gjurma e Unazës.
Banorët e Laprakës, Paskuqanit dhe Kodrës së Priftit, të prekur nga gjurma e Unazës së Madhe, u mblodhën para ambienteve të Kadastrës ku kërkuan takim me drejtorin Artan Lame.
Pas rreth 30 minutash pritje, një përfaqësi e tyre u prit nga kreu i Kadastrës ku thanë se kanë marrë verbalisht premtimin se çështja e tyre është në fazë diskutimi për ti dëmshpërblyer edhe ato shtëpi që nuk janë të legalizuara.
"Ne këmbëngulëm pse është shkelur ligji për legalizimin. Që nga 2006 që kemi bërë deklarimet dhe deri tani nuk ka ardhur ndonjë përgjigje negative, na erdhi pasi ka dalë projekti i Unazës. Lame na premtoi që projekti do zvogëlohet, të marrë suipërfaqe sa më pak të jetë e mundur, të dëmtojë sa më pak banesa.Ana atjetër ishte te dëmshpërblimi. Lame tha se do këmbëngulë që të marrin një dëmshpërblim edhe shtëpitë që nuk janë legalizuar".
Pas takimit banorët u shprehën se do të vijojnë të këmbëngulin që shtëpitë e tyre të shpronësohen.
"I sugjerova zotit Lame, të diskutojë me qeveritarët që në dy krahët e Unazës të bëhen pallate dhe banorët që dalin pa shtëpi të strehohen në pallat."
Ndërkohë më herët banorët ishin në ambientet e ARRSH ku u takuan dhe me përfaqësues të këtij institucioni, të cilëve u kërkuan që të mos u bëjnë presion qytetarëve.
"Ta dimë dhe ne çfarë po ndodh."
Qytetarët paralajmëruan se ditën e enjte që do të mblidhen para parlamentit ku kërkuan takim dhe me kryemistrin Edi Rama për të diskutuar për problemin e shtëpive të tyre.
