Pecorelli gjen "thesarin", biznesmeni italian që sajoi vdekjen në Shqipëri nxjerr foto me monedha
Pak ditë pasi është marrë në pyetje nga prokuroria italiane për llogari të hetimit në Shqipëri, biznesmeni italian Davide Pecorelli ka tërhequr vëmendjen e medias me disa foto monedhash të publikuara duke thënë se ka gjetur thesarin. Ai nuk ka pranuar të flasë as për vlerën as për vendin e monedhave të arit, ndonëse mediat italiane thonë se bëhet fjalë për një garazh në pronësi të tij, i cili u sekuestrua nga autoritetet italiane.
Disa foto të publikuara nga biznesmeni italian, Davide Pecorelli, kanë rikthyer vëmendjen e mediave italiane tek ish-arbitri i akuzuar për sajimin e vdekjes së tij në Shqipëri.
Pecorelli publikoi imazhe ku shihet me çantat plot me monedha floriri nga thesari "Montecristos", ndërsa në kokë mban të njëjtën kapele që përdori gjatë paraqitjes së tij në prokurorinë e Perugias ku u mor në pyetje në lidhje me zhdukjen në Shqipëri në fillim të janarit të vitit 2020.
“Nuk është fotomontazh” saktëson sipërmarrësi dhe ish-arbitri.
"Ku është thesari? Për momentin nuk mund të them asgjë", shton ai.
Fotot sipas mediave italiane janë marrë brenda garazhit misterioz të 46-vjeçarit, i cili është sekuestruar nga prokuroria italiane.
Më 29 mars në prokurorinë italiane Davide Pecorelli është marrë në pyetje për katër orë në lidhje me kërkesën e prokurorisë shqiptare, e cila po e heton atë për sajimin e vdekjes në zonën e Pukës.
Atje në janarin e vitit 2020 Pecorelli braktisi makinën e marrë me qira në Rinas dhe i vendosi flakën pasi hodhi brenda saj disa kocka për ta paraqitur ngjarjen si vrasje.
Dyshohet se gjatë qëndrimit në Shqipëri e më pas largimit ilegalisht në Itali, ku më pas u gjet në një ishull, Pecorelli është ndihmuar nga një prift.
Pikërisht emrin e këtij personi ka kërkuar edhe prokuroria shqiptare, por mësohet se biznesmeni italian nuk ka treguar identitetin e ndihmësit të tij.
Mediat shkruajnë se Davide Pecorelli shpreson që në Shqipëri t'i shpëtojë dënimit me një gjobë, edhe pse kodi penal parashikon deri në 5 vjet burg për tri krimet për të cilat akuzohet.
Këto vepra lidhen me dhunimin e varreve ku mendohet se janë marre kockat, por edhe mashtrim, shkatërrim të pasurisë dhe kalim i paligjshëm i kufirit.
Pas zhdukjes në Shqipëri në janar 2020, në 17 shtator të apo atij viti sipërmarrësi u gjet në bordin e një varke me fryrje pranë ishullit Montecristo, ku besohet se po kërkonte thesare.
Sipas mediave italiane, vetëm pak ditë pas rishfaqjes së tij, Pecorelli deklaroi se kishte gjetur thesarin e San Mamilianos: dy arka me gati 500 kilogramë monedha ari të pastër pesëgramësh.
Ai tha se kishte gjetur tashmë dy nga tre arkat që përmbanin ar, në Cala Corfù dhe Cala Fortezza ndërkohë që po gjurmonte pjesën e tretë të pasurisë (në Cala Maestra), pikërisht aty ku është gjetur nga policia pyjore në shtatorin e vitit të kaluar.

