Shtrenjtimi i çmimeve zbraz xhepat e qytetarëve dhe mbush arkën e shtetit

Rritja e lartë e çmimeve gjatë fundit të vitit të kaluar ka shqetësuar më së shumti familjet me të ardhura të mesme e të ulëta, por për arkën e shtetit ka sjellë 1.9 miliard lekë shtesë. Lajmin e konfirmoi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në konferencën e përmuajshme për mediet.

Ibrahimaj: Sa i përket treguesve për 2 muajve te parë të vitit kemi pasur rritje të të ardhurave me 26 %. Rritje dhe të ardhurave doganore dhe tatimore, çmimet e rritura kane pasur kontribut 1.9 miliardë lekë, pjesa tjetër nga aktiviteti ekonomik.

Sa i përket bordit të ngritur për çmimet e produkteve bazë, ministrja deklaron se prej 1 prillit kanë qenë nën monitorim vetëm 4 produkte, për të cilat është tentuar çmimi i referencës.

Ibrahimaj:  Do përcaktojmë formulën për përcaktimin e çmimeve. Pra mielli, orizi kokërrgjatë, sheqeri dhe vaji i lulediellit. Do përcaktohet marzhi i fitimit dhe do aplikohet. Nuk do të jetë me çmim më të lartë nga ai që vendos Bordi.

Pas karburanteve dhe ushqimeve, të cilat deri tani nuk kanë pasur ndikim në xhepat e qytetarëve, modën e bordeve qeveria pritet ta aplikojë dhe për produktet bujqësore.

Ibrahimaj: Jemi në bisedime për të aplikuar te njëjtën metodologji për inputet bujqësore.

Ndër të tjera, ajo konfirmon se jemi në situatë të jashtëzakonshme dhe këto borde do të funksionojnë deri në përfundimin e konfliktit Rusi-Ukrainë.

Ndërsa në lidhje me çmimin e energjisë elektrike, ministrja Delina Ibrahimaj deklaroi se nuk ka ende një vendimmarrje nëse do të shtrenjtohet ose jo.