Efektet e luftës në ekonomi, Sejko takon përfaqësuesit e BB-së: Ecuria e çmimeve do të përcaktohet nga kohëzgjatja

Realiteti i ri ekonomik i diktuar nga lufta në Ukrainë ishte në fokus të diskutimeve të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë me përfaqësuesit e Bankës Botërore.

Gent Sejko vlerësoi se ecuria e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e luftës në Ukrainë.

Sipas Sejkos, sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues global.

Lidhur me sektorin bankar, Guvernatori u shpreh se veprimtaria po zhvillohet në kushte normale dhe treguesit e këtij sektori paraqiten të qëndrueshëm.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ata shtuan se, edhe para kësaj situate konflikti, Banka e Shqipërisë ka kontribuar në reduktimin e kredive me probleme dhe përmirësimin e ambientit të kreditimit.