Çmimet do të vijojnë të mbeten të larta
Çmimet do të vijojnë të mbeten të larta dhe për të paktën pjesën e mbetur të vitit. Kështu ka deklaruar Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në prezantimin e raportit të tranzicionit të BERZH për vitin 2021-2022. Sipas tij, kjo valë do të ketë pasoja afatgjatë dhe rritje të borxhit publik.
“Ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont të gjatë kohor. Inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv për pjesën më të madhe të dy viteve të ardhshme. Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit të biznesit do të vihen në presion dhe kostot e shërbimit të borxhit do të rriten.”
Për të mbrojtur shtresat më në nevojë nga kjo goditje, Banka e Shqipërisë sugjeron se qeveria duhet të ndërhyjë përkohësisht në politikat fiskale. Por sipas Guvernatorit Gent Sejko duhet pasur kujdes që ky objektiv të mos përkthehet në rritje të fortë të borxhit publik .
“Biznesi shqiptar duhet të rrisë vëmendjen ndaj kostove operacionale në përgjithësi dhe eficiencës energjetike në veçanti”
Ndër të tjera Sejko thekson se edhe pas lëvizjeve të fundit të Bankës së Shqipërisë, qëndrimi i politikës sonë monetare vijon të mbetet stimulues për rritjen e konsumit dhe të investimeve në vend.
