U gjobit me 1.2 mln lekë për ndërtim të paligjshëm, Gjykata shfuqizon vendimin e IMT për banoren e “5 Majit”
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur të shfuqizojë gjobën që Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit vendosi ndaj Laureta Nikollit, banore e "5 Majit".
Laureta Nikolli u gjobit nga IMT me masën 1,284,520 lekë për ndërtim pa leje.
Menjëherë pas kësaj ajo e ankimoi gjobën ku gjatë kësaj të hëne gjykata vendosi shfuqizimin tërësisht të Aktit Administrativ "Për dënimin me gjobë" të paditëses Laureta Nikolli.
Ajo e ka cilësuar gjobën si hakmarrje e bashkisë së Tiranës për faktin se ka ngritur zërin kundër shembjeve.
Pavarësisht rezistencës së saj për të mbrojtur shtëpinë, ajo nuk ia doli pasi shtëpia e saj ekologjike u prish.
Pas vendimit të gjykatës ka reaguar vetë Nikolli, e cila shprehu falenderimet ndaj atyre që e mbështetën si dhe mirënjohje ndaj gjyqtarit që dha vendimin.
