Rrezik orteqesh drejt Thethit, rihapet rruga e fshatit turistik, probleme me energjinë nga bora
Pas më shumë se 24 orë e bllokuar për shkak të orteqeve, rruga drejt fshatit turistik të Thethit është zhbllokuar, por lëvizja atje kërkon kujdes të shtuar për shkak të rrezikut. Bashkë me reshjet e dëborës, në alpe u rikthyen edhe problemet me energjinë.
Rruga në drejtim te Thethit u rihap këtë të hënë.
24 orë pas bllokimit të saj nga orteqet, në Qafë Thorë, aksi drejt fshatit turistik u zhbllokua.
"Në kohë rekord është bërë e mundur që t'i shërbehet qytetarëve", tha Marinaj.
Situata paraqitej kritike edhe për shkak edhe të tërmeteve të rëna, që ndikojnë në rënien e orteqeve.
Kryebashkiaku i Malësisë së Madhe Tonin Marinaj tregon se paralelisht janë kryer ndërhyrje edhe në Tamarë – Vermosh.
"Te pjesa e orteqeve gjithmonë bëhen projekte që bëhen nga ARRSH që një moment të afërt ato do i marrin masat për t'i eleminuar", shtoi Marinaj.
Energjia elektrike është një tjetër shqetësim për zonat turistike sipas kryebashkiakut socialist, i cili thotë se Vermoshi rri pa energji sa here ka reshje.
Atje nevojiten investime të mëdha në sistem.
"Pa investime të mëdha është e pamundur që të evidentohet kjo pjesë", tha kryebashkiaku.
Të dielën mbi 15 turistë ngritën pranë ora News alarmin për bllokimin e rrugës.
Trashësia e dëborës në zonë arrin deri në 3 metra.
