Projekti që s'përfundon kurrë. Miliona lekë për lagjen "1 Maji" në Vlorë, punimet 8 muaj me vonesë

Projekti i rikonstruksionit total të lagjes "1 Maji" në Vlorë tek zona e njohur si Plazhi i Vjetër ka kaluar çdo afat të parashikuar në kontratë. Banorët ankohen se projekti filloi në muajin dhjetor 2020 me afat 8 muaj, por pavarësisht se kanë kaluar 16 muaj punimet ato nuk kanë përfunduar ende.

Projekti i rikonstruksionit të lagjes "1 Maj në Vlorë në zonën e njohur si Plazhi i vjetër ka kaluar afatet e parashikuara të punimeve ndërkohë që banorët fajësojnë pushtetin vendor për këtë situatë.

"Afati ka mbaruar me kohë, por këta as gushtin tjetër nuk e bëjnë dot", thotë një banor.

Më dhjetor të vitit 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit lidhi një kontratë me kompaninë 2 T shpk, për ndërtimin e argjinaturës mbrojtëse nga Vjosa dhe rikualifikimin urban në Vlorë kundrejt 442 milionë lekëve pa TVSH.

Projekti nuk është konkretizuar ende edhe dy vite pas kontratës edhe pse afati ka mbaruar në gusht 2021. E ndërsa punimet vijojnë ende, jashtë afatit, banorët thonë se për këtë projekt nuk ka pasur konsultime me komunitetin.

"Nuk kanë pyetur", shprehet një qytetar.

"Nuk bën vaki asnjëherë, ata e vendosin vetë tani", thotë një banor tjetër.

Ndërkohë, mësohet se operatori 2T SHPK ka kërkuar shtyrjen me 12 muaj të afatit të punimeve për shkak të vonesave në lidhje me shpronësimin e pronarëve të prekur nga projekti.

Jo zyrtarisht mësohet se shtyrja e punimeve është konfirmuar dhe ndërhyrja duhet të jetë gati përpara verës së këtij viti, por ritmi i punimeve sërish duket I ngadaltë.   

Open Data e ka renditur këtë tender me flamur të kuq për shkak të skualifikimit të të gjithë operatorëve përveç fituesit, i cili nuk ka qenë ai me ofertën më të ulët.