PS mbledh Asamblenë online, Rama "ultimatum" deputetëve të sjellin propozimet për emrin e Presidentit
Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare të mërkurën, 6 prill një takim që pritet të mbahet vetëm 3 ditë përpara Kongresit të kësaj partie.
Gazetarja e Ora News, Fjorela Beleshi bën me dije se në mbledhjen e Asamblesë e cila pritet të zhvillohet online në orën 17:00 do të jetë vetëm miratimi i rendit të ditës të Kongresit, mbledhja e Forumit më të lartë të PS-së. Në kongres mësohet se do të diskutohen një sërë çështjesh.
Një pikë që pritet të diskutohet në Kongresin e datës 9 do të jetë pandemia. Këshillimi Kombëtar ka qenë një nga çështjet kryesore të angazhimeve të qeverisë Rama.
Në Kongres pritet të bëhen publike të gjitha rezultatet e pyetësorit. Gazetarja Beleshi bën me dije se kryesocialisti Edi Rama do të bëjë një analizë pune, analizën e deputetëve dhe qeverisë.
Pavarësisht se ka deklaruar që nuk do të ketë ndryshime në qeveri pasi nuk shikon arsye, të shtunën pritet të bëjë një analizë dhe mund t'i "tërheqë veshin" ministrave të tij të cilët kanë pasur problematika.
Një tjetër pikë që pritet të diskutohet janë dhe prioritetet e qeverisë Rama për 3 vitet e ardhshme. Nuk dihet nëse do të ketë risi në kabinetin Rama, por është përfolur se do ketë rikthime dhe largime të deputetëve të tjerë.
A kanë socialistët një emër për President?
Kjo çështje do të jetë një nga temat e diskutimit. Në mbledhjen e grupit Rama i ka lënë detyrë deputetëve socialistë që të sjellin propozimet e tyre për emrin e Presidentit. Deri më 24 maj duhet të zgjidhet Presidenti i ri, i cili do të zëvendësojë Ilir Metën pas 24 korrikut.
Nga PD nuk ka ende një grup negociatorësh, ndërsa mazhoranca është e vendosur që edhe nëse nuk arrin të gjejë një emër të përbashkët për t vendosur në krye të shtetit, në raundin e 4 apo të 5 mund ta zgjedhin me 71 vota. PS i ka votat për ta zgjedhur e vetme nëse demokratët nuk bien dakord me socialistët.
