U procedua pasi doli në protestë te "Sheshi i Flamurit", i riu: Institucionet mos zbatojnë urdhrat e palaçove politikanë
Ornold Bazaj nga Vlora është proceduar penalisht nga blutë e Vlorës me akuzën e organizimit të protestës ditën e djeshme, 3 prill në Sheshin e Flamurit.
Në një deklaratë për mediet ai shprehet se nuk ka asnjë njoftim për procedim penal të bërë nga policia Vlorë pasi askush se ka lajmëruar.
"Unë jam njoftuar nga mediet dhe nuk kam asnjë njoftim nga asnjë institucion i Republikës së Shqipërisë për procedimin tim", tha ai.
Bazaj mohon faktin se është organizator i protestës dhe shprehet se ashtu si çdo qytetar i Vlorës e ka parë njoftimin ne rrjetet sociale dhe ka ardhur në mbështetje të protestës.
"Unë kam bërë detyrën time qytetare dhe kam ardhur në këtë protestë. Unë kam bërë postime në rrjetet sociale si çdo qytetar i këtij vendi që do marr pjesë në protestë. Unë kam përfaqësuar veten time", tha Bazaj.
Sipas Bazajt procedimet penale bëhen për te shuar protestën, frikësuar qytetarët dhe shkelur fjalën e lirë.
"Kjo është e qartë, është thjesht një urdhër për të trembur ata që duan të dalin në protestë. Në protestë ishin 100-200 persona, të proceduar janë vetëm ata që kanë thënë mendimin e tyre. I bëj thirrje institucioneve të shtetit që të ngrihen në detyrën e tyre dhe mos zbatojnë urdhrat e palaçove politikanë", shtoi Bazaj.
Ai u shpreh se protesta do mblidhet sërish në datën 7 prill dhe i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që t'i bashkohen.
