Mjekuan Nuredin Dumanin, gjykata jep masën e sigurisë për dy mjekët dhe infermierin në Fier

Gjykata e Elbasanit ka dhënë masat për 2 mjekët dhe për infermierin të cilët mjekuan Nuredin Dumanin, i cili mbeti i plagosur më 29 mars, gjatë një shkëmbimi me armë zjarri në Elbasan.

Gjykata ka vendosur masën arrest me shtëpie për mjekun Ermal Gjeçin, detyrim paraqitje për laburantin Bledi Bërdalla dhe arrest shtëpie për ndihmës mjekun Julian Malaj. 

Forcat RENEA dhe policia e Fierit bënë të mundur arrestimin e shumë të kërkuarit Nuredin Dumani, i akuzuar për disa vrasje, mbrëmjen e të martës, 29 mars. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dhe Henrik Hoxhaj e Mirjetë H.

Dumani u kap apartament në një pallat në lagjen "Apolonia" në Fier, ku dhe po mjekohej për plagët që kishte marrë.  
Operacioni për kapjen e tij nis pas një atentati të dështuar rreth orës 17:35 të 29 marsit 2022 pranë fshatit Papër, në vendin e quajtur "Ura e Zezë", në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër,  e cila të lidh me qytetin e Cërrikut. 

Bashkë me të u shoqërua edhe një vajzë e re dhe 40-vjeçari Henrik Hoxhaj.

Ky i fundit u kap me pistoletë në brez dhe besohet se është njeriu që transportoi Dumanin pas atentatit në Elbasan drejt Fierit ku ai kishte ngritur një strehë sigurie. Aty u gjetën edhe armë.

Nuredin Dumani dyshohet se ishte në Elbasan pasditen e së martës, 29 mars, për të kryer një atentat.

Por misioni kriminal besohet se ishte dekonspiruar dhe “Hija”, siç njihet ai në botën e krimit, ishte shitur nga persona të besuar tek rivalët.

Në fshatin Papër, ai ra pre e një sulmi me breshëri arme zjarri ndërsa udhëtonte me makinën tip BMW që rezultoi se ishte e vjedhur. 

Dyshimet janë se atentati mund të jetë vazhdim i përplasjes me ish-mikun Talo Çela, por ky i fundit thuhet se nuk ka qenë vetë i pranishëm.