Kontrolle të befasishme në Elbasan, në pranga 34 vjeçari, hodhi armën e tentoi të largohet kur pa policinë

Kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, atyre që qarkullojnë me armë zjarri dhe me lëndë narkotike, janë kryer në Elbasan.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Unexpected”, është arrestuar një person, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete.

Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi B. G., 34 vjeç, banues në Elbasan.

“Ky shtetas qarkullonte me një automjet dhe sapo ka parë Policinë që e ndiqte, pasi disponohej informacion se kishte armë zjarri me vete, ka hedhur armën dhe ka tentuar të largohet, por është kapur nga punonjësit e policisë dhe është vënë në pranga.”- njofton e policia.

Kjo e fundit ka sekuestruar dhe 1 armë zjarri dhe municion luftarak.

Gjatë operacionit janë shoqëruar për verifikim edhe disa persona të tjerë me precedentë penal, të cilët pas verifikimeve, janë lënë të lirë.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.