Zbutja e varësisë energjitike ruse, britanikët projektojnë 7 centrale të reja bërthamore deri në 2050-ën

Shkëputja nga varësia energjitike ruse ka ngërthyer vëmendjen e krejt vendeve evropiane. Britanikët kanë hartuar një plan për ngritjen e 7 centraleve të reja bërthamore për prodhimin e energjisë deri në vitin 2050. Ndryshe nga ata, gjermanët janë skeptikë për këto centrale dhe sjellin në vëmendje Çernobilin dhe Fukushimën.

Për arsye të shkëputjes nga varësia energjitike ruse dhe për të ulur emetimin e dioksidit të karbonit në hapësirë, britanikët kanë në plan ndërtimin e 7 centraleve të reja bërthamore deri në vitin 2050.

Sipas zyrtarëve të lartë britanikë, vendi ishullor ka ambicie që energjia bërthamore të sigurojë 25 për qind të energjisë elektrike deri në vitin 2050. Për kryeministrin Boris Johnson, zhvillimi i një gjenerate të re të energjisë bërthamore do të sigurojë një "burim të pastër energjie, të besueshëm dhe të sigurt".

Një argument tjetër që përdorin britanikët, përkundrejt shkëputjes nga varësia energjitke ruse, është ulja e emetimeve të gazit karbonik në hapësirë. Për ta përmbushur këtë objektiv, për zero emetime deri në vitin 2050, Britania duhet urgjentisht të largohet nga përdorimi i karburanteve fosile.

Për shumë shkencëtarë të klimës dhe organizata ndërkombëtare një zhvendosje globale drejt energjisë bërthamore argumentohet si thelbësore për të trajtuar urgjencën klimatike dhe për të përmbushur kërkesat në rritje për energji.

Sipas studiuesve, ndryshe nga lëndët djegëse fosile , një central bërthamor nuk çliron drejtpërdrejt karbon gjatë punës së tij. Gjithashtu, ai nuk ndikohet nga faktorë të jashtëm klimatik dhe kësisoj është një objekt i sigurt për prodhimin e energjisë.

Pavarësisht ambicieve të Britanisë për këtë projekt, shumë vende të tjera janë skeptike për përdorimin e centraleve bërthamore për prodhimin e energjisë. Gjermania një ndër to. Një pjesë e rëndësishme e ambjentalistëve dhe shkencëtarëve sjellin në vëmendje rastin e Fukushimës në Japoni së fundmi dhe atë të Çernobilit gjatë Luftës së Ftohtë. Edhe pse centralet bërthamore janë përshkruar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike si "objektet më të sigurt në botë" rastet konkrete në Fukushima dhe Çernobil kanë treguar se një keqfunksionim në këto centrale mund të jenë katastrofike.

Materialet radioaktive kur ndosin mjedisin, kanë efekte qindravjeçare, duke filluar nga ajri, uji dhe toka, njerëzit, kafshët dhe bimët. Edhe 35 vjet pas katastrofës bërthamore në Çernobil nivele të larta radioaktiviteti gjenden ende te gruri, mishi, produktet e qumështit dhe shumë pemë rrotull.