Zvicra e përgatitur për çdo skenar, bunkerët e Luftës së Ftohtë rikthehen në modë ndërsa konflikti në Ukrainë është ndezur
Pushtimi rus i Ukrainës ka rizgjuar interesin për bunkerët të ndërtuar gjatë Luftës së Ftohtë me hapësirë të mjaftueshme për të strehuar të gjithë personat në vend.
Që nga vitet 1960, çdo komune zvicerane i është dashur të ndërtojë bunkerë bërthamorë për banorët e tyre, ndërkohë që bunkerë të tillë kanë qenë gjithashtu të detyrueshëm në të gjitha shtëpitë dhe ndërtesat e banimit.
Bunkerët janë bërë pjesë integrale e identitetit zviceran.
Por hapësirat nëntokësore, të përdorura kryesisht si bodrume për ruajtjen e verës kanë ringjallu interesin që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt.
Vetëm disa ditë pas sulmit, presidenti rus Vladimir Putin vendosi forcat strategjike bërthamore të vendit në gatishmëri të lartë, duke ndezur alarmin global. Luftimet e ashpra pranë termocentraleve bërthamore të Ukrainës, duke përfshirë Çernobilin kanë rritur gjithashtu frikën se edhe Zvicra tradicionalisht neutrale mund të preket nga lufta.
"Ukraina është shumë afër"
"Njerëzit po zbulojnë se Ukraina është shumë afër," i tha AFP Marie Claude Noth-Ecoeur, e cila drejton shërbimet e sigurisë civile dhe ushtarake në rajonin malor jugor të Wallis.
Vendi i pasur alpin është zotuar se çdo banor do të ketë një hapësirë strehimi nëse është e nevojshme.
Në fakt, vendi me 8.6 milionë banorë numëron gati nëntë milionë hapësira në 365,000 strehimore private dhe publike.
Nicola Squillaci, kreu i divizionit të mbrojtjes civile dhe çështjeve ushtarake të Gjenevës, tha se strehimoret ishin konceptuar për të ofruar mbrojtje "veçanërisht në rastin e një bombardimi dhe një sulmi bërthamor".
Ato do të ndihmonin në mbrojtjen e popullatës "kundër valëve goditëse dhe kundër radioaktivitetit në ajër", tha ai për AFP, shkruan France 24.

