Shpërthime të fuqishme në portin e Odesës në Ukrainë, rusët shkatërrojnë depot e naftës në qytet

Këto pamje vijnë nga porti strategjik i Ukrainës në detin e zi, Odesa.

Të paktën 6 shpërthime nga raketat ruse janë raportuar nga zyrtarët lokalë, ndërsa ende nuk dihet nëse ka viktima.

Në fokus të këtij sulmi ishin depozitat e naftës dhe objekte të infrastrukturës. Sipas mediave të huaja, raketat nga deti dhe ajri me precizion të lartë kanë shkatërruar një rafineri nafte dhe tre depo karburanti, të cilat do të përdoreshin nga Ukraina për të furnizuar trupat e saj pranë qytetit të Mykolaiv.

Zëdhënësi i administratës ushtarake rajonale të Odesës, Serhiy Bratchuk u bëri thirrje banorëve që të qëndrojnë në qendrat e strehimit, pasi sulmet janë të fuqishme.

Po ashtu, pranë shënjestrës së sulmit ndodhet dhe selia qendrore e marinës ukrainase, por ende nuk dihen detaje nëse ajo është prekur nga sulmi.

Prej disa javësh Odesa ishte përgatitur për një sulm të afërt, pasi anijet luftarake ruse po qarkullonin në brigjet e Detit të Zi. Tashmë rrugët e qytetit janë boshatisur, ose të mbuluara me kurthe për tanqet ruse.

Teksa luftimet janë ndarë në disa fronte, Kievi ka nisur ofensivën për të rifituar disa nga zonat e pushtuara më herët, ndërsa forcat ruse e kanë përqendruar sulmin ne lindje.

Pas sulmit presidenti Zelensky ka deklaruar se Moska synon të sulmojë vendet në lindje të Ukrainës. Por nga ana tjetër zyrtarë të Rusisë kanë theksuar se synimi i tyre është Donbas dhe Lohansk.