Autobusi kosovar përplaset me tramvajin në Düsseldorf
Nga OraNews Përditësimi i fundit 2 Prill 2022, 15:41
Një aksident ka ndodhur në stacionin e autobusëve në Worringer Straße, në Düsseldorf, ku një autobus u përplas me një tramvaj.
Tramvaji doli nga shina dhe drejtuesi i autobusit u plagos lehtë, bën me dije media lokale gjermane RP-Online.
Mësohet se autobusi ka qenë i kompanisë “Barileva Turist”, një agjenci turistike kosovare.
Sipas autoriteteve lokale shkaku i aksidentit mes autobusit dhe tramvajit është ende i paqartë.
Përplasja ndodhi rreth orës 18:00 të së premtes në mbrëmje, ngjarje në të cilën tramvaji doli nga shinat dhe nuk mundi të vazhdonte udhëtimin.
Punonjësit e Rheinbahn e ngritën trenin përsëri në shina.

