Breshëri nxjerr nga rruga makinën në Gjirokastër, plagoset shoferi 20-vjeçar
Nga Entiola Budo Përditësimi i fundit 2 Prill 2022, 21:13
Koha e keqe me reshje të dendura breshëri, ka shkaktuar një aksident në hyrje të qytetit të Gjirokastrës mbrëmjen e sotme, 2 prill.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:35 te kthesa e Unazës së qytetit në lagjen Gërhot në aksin Gjirokastër-Tepelenë.
Automjeti tip "Ford", me drejtues shtetasin E. D., rreth 20 vjeç, banues në Gjirokastër, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore.
Për pasojë drejtuesi i mjetit ka pësuar lëndime serioze në gjymtyrë dhe është çuar me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës.
Gjithashtu kanë marrë dëmtime të lehta 2 pasagjerët që ndodheshin në automjet.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
