Zgjedhjet afër, territorialja larg/ Haxhimali: Ta lësh kaq kohë në heshtje gabim i madh i opozitës

Edhe pse zgjedhjet lokale të vitit 2023 po afrojnë duket se reforma territoriale është ende larg.

Eksperti i çështjeve vendore, Agron Haxhimali në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj u shpreh se ta lësh një reformë kaq të rëndësishme, për të ndërtuar institucione me të zgjedhur vendor, institucione që kanë votën e qytetarëve dhe janë pranë qytetarëve për t'i dhënë shërbime është gabim i madh i politikës.

Haxhimali: Ta lësh kaq kohë në heshtje gabim i madh i opozitës. Mazhoranca është në komoditetin e vet, e bëri siç dëshironte për arsyet që ne i dimë. Tani i thotë opozitës "ti e kërkove, unë ta hapa derën. Ti s'do të vish, rri tani se është mirë." Ama opozita ja ka detyrim qytetarëve shqiptarë. Lidershipi i ri i PD duhet të ngrejë strukturat brenda saj dhe të paraqesë modelin siç e do ajo për ndarjen territoriale. Nëse shkohet me retorika politike apo harrohet procesi është një kosto e madhe.

Zoti Haxhimali u shpreh se reformat duhet të jenë gjithnjë në favor të qytetarëve.

Por a ka kohë për të bërë një reformë reale, një reformë që të mishërojë ndryshimet që shkojnë për qytetarët dhe jo për partitë politike?

Haxhimali: Nuk e kam merakun e kohës nëse fillon e punohet seriozisht. Nuk jemi në terren të pashkelur. Mjafton të jetë vullneti politik dhe mos e bëjnë hartën për arsye politike. Nëse vendosin ta bëjnë të pastër, të sinqertë dhe në funksion të qytetarëve për 6 muaj edhe më pak në Parlament shkon një raport i saktë me hartën e re territoriale, këtu është çështja për model, për sistem. Politika shqiptare, qoftë mazhoranca apo opozita edhe kur bënë reformën e parë nuk kanë përcaktuar akoma se çfarë modeli e duan qeverisjen vendore. E duan me një nivel të kenë vetëm bashki apo e duan me dy nivele të kenë edhe këshillat e qarqeve.