Moisiu shmang komentet për Metën: Presidenti duhet të zgjidhet nga populli

Si Presidenti i vetëm konsensual, Alfred Moisiu në një intervistë për Ora News e sheh të vështirë gjetjen e një gjuhë të përbashkë mes PS dhe PD për t’u dakordësuar për emrin e Kreut të Shtetit, i cili do të zëvendësojë Ilir Metën pas 24  korriku.

"Konsensual është më e mira por nuk e di nëse mund të realizohet kjo kërkesë."

Për të shmangur politizimin e institucionit të Presidentit, sipas Alfred Moisiut zgjidhja nuk vjen nga partitë politike, por nga populli.

"Presidenti duhet të zgjidhet direkt nga populli te ne. Kjo do të përmirësojë figurën e Presidentit dhe kompetencat e tij."

Edhe pse 92-vjeçari tregohet i kujdesshëm të mos komentojë sjelljen e Ilir Metës si President, Moisiu tregon se cilat janë kornizat e Kreut të Shtetit.

"Nuk merrem me vlerësimin e paraardhësve dhe as të pasardhësve të mi. Presidenti i ri duhet të jetë si e kërkon Kushtetuta, të jetë mbi palët dhe të punojë për unitetin e kombit."

Deri me 24 maj Parlamenti do të duhet të zgjedhë Presidentin e ri, por deri në këto momente konsensusi mes pozitës dhe opozitës duket e largët.

Madje ish-kryeministri Berisha ka akuzuar mazhorancën për blerje të deputetëve të opozitës për të bërë 84 vota pa patur nevojë për tryeza mes partive politike.