Grupi i Dumanit para Gjykatës, Nuredinit i komunikohet masa e tretë “arrest me burg”
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë për bashkëpunëtorin e të shumëkërkuarit Nuredin Dumani dhe të dashurës së tij nga Kosova. Ndërkohë, në spitalin e Traumës vetë dumanit i është dhënë masa e tretë “arrest me burg”, ndërsa po shikohet mundësia e bashkimit të të gjithë dosjeve kundër tij, që të hetohen nga SPAK si gruip kriminal.
Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg bashkëpunëtorin e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhën që u arrestua në banesën e të shumëkërkuarit mbrëmjen e së martës, 29 mars në Fier.
Po e njëjta Gjykatë ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për të dashurën e Nuredin Dumanit, shtetasen nga Kosova Mirjetë H, edhe kjo e arrestuar në banesën e 37-vjeçarit.
Avokati i 20-vjeçares pas seancës ka deklaruar se klientja e tij nuk kishte asnjë dijeni për aktivitetin Kriminal të Dumanit, por e njihte atë me një tjetër identitet.
"20-vjeçarja deklaroi që e njihte personin me një tjetër identitet. Nuk kishte fare informacion dhe dijeni për akuzat që u bënë ndaj emrit të tij. Kishte një marrëdhënie sentimentale, bashkëjetonin prej një kohe bashkë", tha avokati.
Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan shtyu masën e sigurisë për të dielën për Dy mjekët Julian Malaj, Bledi Bërdalli dhe ndihmës mjeku Ermal Gjeci të cilët mjekuan Nuredin Dumanin në ambientet e shtëpisë për plagët që ai mori nga përplasja me armë zjarri në Elbasan dhe më pas nuk e referuan rastin në polici.
Në dëshminë e tyre, para grupit hetimor, u mbrojtën me betimin e Hipokratit.
Ata kanë deklaruar se nuk e dinin që po mjekonin një të shumëkërkuar të drejtësisë, por nuk mund t’i mohonin kujdesin shëndetësor si qenie njerëzore.
Ndërkohë në Tiranë Gjykata ka dhënë masën e tretë “arrest ne burg” për Nuredin Dumanin.
Gjyqtarët i komunikuan Dumanit masën, në ambientet e Spitalit të Traumës ku ai qëndron pas plagosjes.
I shumëkërkuari Nuredin Dumani u arrestua mbrëmjen e së martës në Fier në një apartament në pallat.
Deri më tani atij i janë dhënë edhe dy masa të tjera sigurie “arrest me burg”. Ka qenë SPAK që ka dhënë masën parë për ekzekutimin e vëllezërve Haxhiaj, ndërsa një tjetër masë i është dhënë për atentatin ku Dumani ishte shënjestër e plumbave!
Të shtunën në SPAK ëshët parë edhe kryeprokurori i Elbasanit kreshnik Ajazi, dhe drejtori i Policisë së Shtetit Gledis Nano, ndërsa burimet thanë se po shikohet mundësia e bashkimit të të gjithë dosjeve për Dumanin në mënyrë që ato të hetohen nga SPAK në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
