Mesazhi i Myftiut të Tiranës për besimtarët: Të gjithë mund të përfitojmë në Muajin e Ramazanit
Sot për të gjithë besimtarët myslimanë është dita e parë e Agjërimit. Myftiu i Tiranës në emisionin "Kjo është koha" dedikuar Muajit të Madhërishëm të Ramazanit tha se muaji i Ramazanit në vetvete në aspektin kohor është nga momentet më të rëndësishme për jetën e besimtarit.
"Ka një lloj transformimi jo vetëm në jetën e përditshme, por ka dhe një transformim fizik e shpirtëror për besimtarët. Besimtari e përjeton në maksimum këtë lloj transformimi."
Myftiu i Tiranës kishte një mesazh për të gjithë besimtarët myslimanë që janë në kërkim të Zotit.
"Muaji i Ramazanit nuk është i dobishëm vetëm në aspektin individual, në aspektin e marrëdhënies së njeriut në raport me Allahun, por ka dhe aspektin social, shoqëror. Ndikon apo futet në të gjitha qelizat e shoqërisë dhe ka një lloj organizimi edhe në raportin që ka individi me shoqërinë rreth e rrotull. Në Muajin e Ramazanit njeriu mund të gjejë qetësinë. Mesazhi im do të ishte që gjithsecili nga ne ka diçka me vlerë që mund ta përfitojë nga ky muaj, përfitojmë me aq sa mundësi kemi dhe në formën që kemi dëshirë."
