Prokuroria hap hetimet për 'kasaphanën" në regjistrat e pasurive në bregdetin e Durrësit
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për skandalin e pronave në bregdet pas denoncimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Kadastrës Artan Lame për ndërhyrje në regjistër. Pas një kontrolli të Kadastrës, janë gjetur qindra regjistra me probleme, si faqe të grisura apo të dubluara. Prokuroria e Durrësit ka krijuar një grup të gjerë hetimor për të zbardhur skandalin.
Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet pas denoncimit se në Kadastrën e këtij qyteti janë konstatuar dëmtime në regjistrat e pronave të vijës bregdetare të zonës së Plazhit, Spitaleeve, Lalëzit, Draçit dhe Rodonit.
Në njoftim bëhet me dije se me urdhër të drejtueses së prokurorisë për të hetuar këtë skandal është ngritur një grup i gjerë hetimor me oficerë të policisë gjyqësore, prokurorë, te cilët do të mbledhin prova për autorët e këtyre shkeljeve.
Shkrirja e Kadastrës së Durrësit dhe nisja e hetimeve të thelluara për abuzimet që janë bërë atje në 32 vite kanë nxjerrë një raport me shkeljet e konstatuara.
Në një dalje për mediat drejtori i përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame tha se nga të gjitha dosjet, vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave janë me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.
Sipas Lames nga 1063 regjistra, vetëm 152 rezultojnë pa dëmtime. Zonat bregdetare janë ato që janë abuzuar dhe plaçkitur më tepër, ndërsa për Artan Lamen kjo ndodh për shkak se nuk ka patur rregullore dhe përgjegjësi se kush i administronte regjistrat dhe kur kalohej arkivi nga një punonjës tek tjetri, kjo bëhej pa inventar dhe pa asnjë kontroll.
Tashmë arkivi i Kadastrës Durrës do i nënshtrohet dixhitalizmit dhe do të jetë i pajisur me sistem kamerash dhe alarmi për çdo ndërhyrje.
