Rama krenar për incineratorët, "lan" duart nga përgjegjësia: Kush bën punën e xhepit s'ka lidhje me programin e qeverisë

Teksa u shpreh se është krenar për veprat e ndërtuara, duke ju referuar incineratorëve, kryeministri Rama tha se ata që bëjnë punën e shtetit por njëkohësisht bëjnë dhe punën e xhepit do të përfundojnë atje ku deri dje nuk ja kishte marrë mendja njeriu se mund të përfundonin njerëzit me pushtet. Kështu duke hequr çdolloj përgjegjësie, Rama tha se duhet të jemi të kënaqur që edhe vepra bëhet edhe mësimet merren.

Rama: Është një punë kaq e rëndësishme, sa që sot territore të tëra të Shqipërisë që deri dje ishin të mbytura nga plehrat marrin frymë lirisht. Nëse në këtë proces individë të caktuar me një përgjegjësi apo me një përgjegjësi tjetër përveçse  bëjnë punën e shtetit, bëjnë dhe punën e xhepit të tyre kjo nuk ka lidhje me programin e qeverisë dhe qëllimet  e saj. Kjo ka lidhje me një cenim të ligji dhe një përgjegjësi që në rast se drejtësia e nxjerr në pah do të thotë se duhet të jemi shumë të kënaqur që edhe vepra bëhet edhe mësimet jepen. Kush përdor detyrën shtetërore për një përfundim personal mund të përfundojë atje ku deri dje askujt nuk ja priste mendja se mund të përfundonin njerëzit me pushtet. Qëndrimet e mia janë qëndrime të lidhura me një proces që ne kemi detyrimin ta shtyjmë përpara dhe ta mbështesim fuqimisht që është reforma në drejtësi.

Rama shtoi se ajo që po ndodh sot në Shqipëri është një vlerë e re që po krijohet nga PS, nga kjo shumicë qeverisëse dhe nga këto mandate të dhëna nga ky popull.